Një 60 vjeçar nga Australia, fermer e mbarështues bagëtish, ka arritur t’i shpëtojë për mrekulli sulmit të një krokodili. Burri kishte dalë pranë lumit Finniss për të vendosur disa gardhe (për bagëtitë e tij) kur papritur është sulmuar nga një krokodil masiv, i gjatë 3.2 metër. Krokodili ka arritur t’i kafshjë këmbën dhe e ka tërhequr zvarrë drejt ujit.
“Uji atje ishte tërhequr dhe kishte mbetur diçka në mes. Bëra dy hapa atje dhe ai bastardi m’u hodh në këmbë. Më kafshoi, më shkundi si leckë dhe më pas nisi të më tërheqë drejt ujit. Isha në një pozicion të keq, por arrita aksidentalisht thuajse, të kafshoj. I kapa njërën prej qepallave, dukej sikur po kafshoja një copë lëkurë të trashë. E kafshova fort dhe ai më lëshoi”-tha 60 vjeçari në një intervistë për abc-në.
60 vjeçari ka arritur të shkojë deri tek makina duke çaluar, ndërsa për median vendase tha se krokodili e ndoqi për pak metra e mandej u tërhoq në ujë. Burri ka mbuluar këmbën dhe e ka lidhur me disa litarë që kishte me vete. I vëllai mbërriti atje dhe e dërgoi 60 vjeçarin në spital (në një udhëtim të gjatë jo pak por 130 km).
“Problem ishte papastërtia e bakteret që më hynë në këmbë. Plaga qëndroi e hapur për mëse 10 ditë”-tregoi burri në moshë.
60 vjeçari thotë se i ndjen gishtat dhe këmbën, ndërsa doktorët janë shpresëplotë se ai do të mund të dalë me këmbët e veta nga spitali.