Me një buzëqeshje të lehtë që i qëndroi për disa momente në shprehi, Erkanda i kthen shpinën derës së aeroportit të Rinasit. Nëna e tre fëmijëve, e sprovuar me një sëmundje të rëndë (limfoma), kishte dëshirë të thoshtë disa fjalë që buronin nga zemra.
“Zoti ju shpërbleftë, kurrë nuk do t’jua harroj këtë mirësi që dhuruat për mua”
Nëna nga Shkodra mban mbi supe një vuajtje të madhe e tragjedi të shumta. Dy motrat e saj të vetme janë larguar nga kjo botë. Njëra la pas 4 jetimë. E tanimë prej disa kohësh, vetë Erkanda mësoi se ishte prekur nga kanceri.
Shqiptarët për Shqiptarët” e përcolli rastin e saj pak ditë më parë. Përmes modelit të bamirësisë, shumë zemra u mblodhën dhe i dolën në krahë kësaj nëne, e cila kërkonte veçse një gjë… një shans për të mos i lënë tre fëmijët e saj jetimë.
Shqiptarët iu përgjigjën apelit për ndihmë dhe i mundësuan nënës nga Shkodra kurimin jashtë shtetit.
E tanimë me largimin e Erkandës, në rrugën e saj të gjatë drejt shërimit, nuk na mbetet veçse të lutemi që gjithçka të shkojë mirë.