Pranë vuajtjeve të së bijës nuk mundet t’i mbajë lotët. I kujtohet momenti kur pa vajzën me trupin e djegur, një memorie që i është skalitur në qenie. E sërish ende nuk ka përfunduar. Ermela vogël tanimë dergjet në shtratin e spitalit, ndërsa plagët janë prekur nga infeksioni.
E ky baba vijon të vuajë, t’i thyhet zemra në mijëra copa, teksa shikimi i tij përballet me sytë e të bijës, sytë e evladit që kërkon shpëtim nga dhimbjet. Fatjoni mundohet të bëjë çmos, që të mos e lërë të bijën të bie në dëshpërim.
“Më kërkoi librat dje-pardje, ja solla…donte të ngjyroste. (qan) Babi nuk e lëviz dot dorën më thoshte. Me vete ia kam marrë të gjitha, fletoret, ngjyrat. Por nuk i mban, nuk i shikon dot… më thotë babi mbaji ti (qan).
Shokët e shoqet më pyesin “si është Ermela?” Mirë, i them unë. “Kur do të vijë?” Do vijë së shpejti i them.
O Zot i madh…si do të vejë, nuk e di. Nuk më hiqet mendja, sa të jem gjallë. Kur e pashë atje (djegur)…të shikosh fëmijën ashtu, e vështirë shumë.”-rrëfen për “Shqiptarët për Shqiptarët” babai i 10 vjeçares.
Gjendja e Ermelës është rënduar. Plagët janë infektuar dhe e vetmja mënyrë kurimi është dërgimi jashtë shtetit. Vajzës i nevojitet një dhomë e posaçme për trajtimin e plagëve, e ky është një tjetër gur që zë përfund frymën e këtij babai. I mbuluar në lotë, pamundësia për të përballuar kurimin e vajzës e bën dhimbjen të dyfishte për këtë baba.
“Nëqoftëse vajza qëndron këtu rrezikon jetën. Nuk i kam mundësitë ta çoj jashtë. Do ju lutesha shumë, kujto që e sheh këtë video, të më ndihmojë. Nuk kam çfarë të bëj. Ime bijë më thërret babai, babi e më shikon në sy… e unë nuk kam çfarë t’i bëj.”-rrëfen ai mes lotëve.