Kronologjia e një tragjedie të paralajmëruar, prokuroria nis hetimet për vdekjen e futbollistit të Egnatias

Prokuroria e Durrësit ka nisur një hetim në lidhje me ngjarjen tragjike të një dite më parë, ku humbi jetën sulmuesi i ekipit të Egnatias, ganezi Raphael Dwamena. 28 vjeçari humbi ndjenjat në fushën e lojës dhe ndërroi jetë pak më vonë, teksa zhvillohej ndeshnja Egnatia- Partizani.

Prokuroria ka marrë në pyetje mjekët e ekipit, personelin e autoambulancës dhe mjekët në spitalin e Kavajës, të cilët me të ardhur 28 vjeçari, konstatuan vdekjen e tij.

I riu mendohet se humbi jetën si pasojë e problemeve në zemër.

Prej disa kohësh i riu kishte probleme me zemrën, një fakt që u konfirmua që në vitin 2017, kohë kur klubi i Zurich ra dakord me ekipin e Brighton për një tranferim me vlerë 11 milionë paundë. Vizitat mjekësore konfirmuan problemet dhe marrëveshja u ndërpre, ndërsa Zurich ndërpreu kontratën me lojtarin. Në vitin 2018, Dwamena mbërriti në Spanjë dhe u bë pjesë e Levantes. Ai u huazua në Real Zaragoza, por edhe atje, bashkëpunimi u ndërpre një vit më vonë, po prej problemeve me zemrën.

Në vitin 2021 futbollisti pësoi një kolaps në fushë, teksa luante në Kupën e Austrisë me Blau Veiss Linz, ndërsa edhe atje karriera e tij u ndërpre.

Pas një viti pa futboll, Dwamena u rikthye. Më dhjetor të vitit të kaluar, ai u prezantua tek Egnatia dhe më 11 nëntor, kolapsoi në fushë e humbi jetën.