“44 minutat e  misterit” Hetimet për vdekjen e të riut shqiptar në Itali marrin një tjetër kthesë

“44 minuta mister”

Kështu shkruan media italiane në lidhje me vdekjen ende të pashpjeguar të Klaudio Myrtajt, një 34 vjeçar shqiptar i cili u gjet i pajetë në një punishte zdruktharie disa ditë më parë, në Vernante të Italisë fqinje.

Së fundmi media vendase ka sjellë të tjera detaje të ngjarjes së mistershme. Së pasi duket se hetuesit tanimë kanë përjashtuar mundësinë se 34 vjeçari shqiptar mund të jetë vrarë për një krim pasioni apo pazare të drogës e tjera aktivitete ilegale. Myrtaj kishte veçse dy vite që kishte mbërritur në Itali dhe punonte në ndërmarrjen e kushërinjve të tij.

Në kohën e tij të lirë Klaudio shkonte tek punishtja e një burri në pension, vendi ku u gjet i pajetë 34 vjeçari. Kamerat e sigurisë në këtë zonë nuk kanë qenë të shumta, por nga ato që kanë mundur të filmojnë, kanë qenë lëvizja e të riut drejt punishtes, pak para se ai të dilte sërish për të blerë cigare në një tabakino aty pranë. Më herët i riu kishte qenë për drekë me disa miq.

La Stampa shkruan se së fundmi hetuesit po konsiderojnë një pistë, atë të një aksidenti tragjik në punishte. Sipas një sërë dëshmitarësh shkruan media italiane, i riu dhe pronari i zdruktharisë shpesh herë pinin. Kjo ka bërë që hetuesit të mendojnë se mund të mos kenë të bëjnë me një vrasje të mirëmenduar, por me një lojë të shkuar keq me një armë. Ndonjë ‘entuziast’ i armëve me silenciatorë dhe një demostrim i armës që aksidentalisht ka qëlluar, mund të jetë dhe shkaku i vdekjes së të riut, raporton La Stampa.