Shkarkohet Sekretarja e Brendshme e Britanisë Suella Braverman, një vit më parë i cilësoi shqiptarët si ‘kriminelë’

Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar Suella Braverman nuk do të jetë më pjesë e qeverisë së vendit.

Braverman u bë e njohur gjerësisht për publikun shqiptar rreth një vit më parë, teksa i cilësoi shqiptarët si ‘kriminelë’ që po ‘pushtonin’ Britaninë. Deklaratat e saj sollën një valë të madhe reagimesh, mes të cilave dhe protesta paqësore nga komuniteti shqiptar në Angli.

E duket se arsye për shkarkimin e Braverman nga posti i rëndësishëm, kanë qenë disa deklarata të bëra së fundmi nga ish- Sektretarja e Brendshme. Braverman u deklarua mbi disa protesta pro-palestineze që u zhvilluan në Londër, duke i cilësuar si “marshime urrejtjeje”.

Prej kohësh popullariteti i Braverman kishte rënë ndjeshëm, ndërsa këtë të hënë kryeministri i Britanisë Rishi Sunak njoftoi mbi riorganizim të kabinetit, ku Braverman nuk do të jetë më pjesë.

Në vend të saj, postin e Sekretarit të Shtetit do ta mbajë James Cleverly, i cili deri më tani ka mbajtur pozicionin e Sekretarit të Jashtëm të shtetit.

Një tjetër lëvizje që ka bërë bujë është dhe rikthimi në qeveri i ish-kryeministrit David Cameron, i cili më 2016 dha dorëheqjen fill pas referendumit (Brexit) që nxorri Britaninë nga Bashkimi Europian. Cameron do të marrë postin e kryediplomatit të vendit.