Itali: Vdekja tragjike e 26 vjeçares shqiptare, gjatë punës një makineri e rëndë e zuri në pjesën e kokës

Kishte veçse 26 vjet e prej vitesh punonte në ‘Bocon’ një kompani që merret me prodhimin e tregtimim e ushqimeve të ngrira. Ditën e djeshme, një aksident tragjik do t’i merrte jetën.

Anila Grishaj po punonte si çdo ditë, por aksidentalisht koka e saj mbeti në një makineri që amballazhonte produkte. Në vendin e ngjarjes ndërhynë zjarrfikësit, infermierët mjekët e policia. Por nuk mundën të bëjnë dot asgjë. Pavarësisht përpjekjes për ta risjellë në jetë, Anila ishte shuar.

Tanimë hetuesit kanë nisur punën për të kuptuar sesi ndodhi aksidenti fatkeq. Prokuroria e Treviso-s po ashtu ka hapur një fashikull mbi rastin, veçanërisht për të kuptuar se dikush ka patur përgjegjësi për tragjedinë. Makineria që i mori jetën të resë tanimë është sekuestruar.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, me të marrë vesh lajmin e kobshëm, familjarët e të ndjerës mbërritën në vendngjarje. Media italiane shkruan se prindërit kishin dashur të hynin brenda, por janë bllokuar nga policia. Shumë prej tyre u ankuan se ishin thirrur me vonesë për ngjarjen tragjike.