Humbi jetën në punë, një gabim njerëzor mund të jetë shkaku i vdekjes së 26 vjeçares shqiptare

Aksidenti ku humbi jetën Anila Grishaj, mund të ketë ardhur nga një gabim njerëzor.

Kështu shkruan “La Repubblica”, e cila bazohet në disa të dhëna të siguruara deri më tani nga hetimi. Media italiane shkruan se makineria që i mori jetën të resë shqiptare në Treviso, mund të jetë ndezur aksidentalisht nga një koleg i të ndjers.

Anila ndodhej në një pozicion të rrezikshëm (në raport me makinerinë), por ishte e bindur se makineria ishte e fikur. Makineria në fjalë e cila ambalazhonte produkte (Anila punonte në një kompani të quajtur Bocon, e cila shet produkte të ngrira ushqimore) tashmë është sekuestruar.

Prokuroria në Treviso ka nisur një hetim mbi këtë pistë, për mundësinë e vrasjes nga pakujdesia. Këtë paradite u zhvillua dhe një protestë përballë kompanisë nga punonjësit, të cilët kërkuar një takim për të trajtuar çështjen e sigurisë në punë.

Një inspektim do të kryhet dhe nga organet kompetente për të parë nëse janë respektuar të gjitha normat e sigurisë në punë.