Dallgë dhe erë e fortë, pezullohet për tre ditë me rradhë lundrimi në portet e vendit

Si pasojë e kushteve të motit, erës së fortë e dallgëve, lundrimi në Shqipëri do të jetë i pezulluar për tre ditë, duke nisur nga kjo e premte.

Drejtoria e Përgjithshme Detare ka publikuar masat e marra këtë fillim fundjave, duke kërkuar nga drejtuesit e mjeteve lundruese (nga ato të vogla, deri tek peshkarexhat e tragetet) që të marrin masa për sigurimin e varkave të tyre pasi pritet përkeqësim i ndjeshëm i motit.

Drejtoria e Përgjithshme Detare ka publikuar masat e marra si më poshtë:

Është ndaluar dhënia e leje – nisjes gjatë datave 17-18-19.11.2023 duke filluar nga ora 12:00 për të gjitha mjetet e vogla lundruese, anijeve të peshkimit dhe janë njoftuar për marrjen e masave për sigurimin e tyre.
Drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe të anijeve të peshkimit janë njoftuar që të kenë në konsideratë kushtet e parashikuara të përkeqësuar dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre.
Janë njoftuar drejtuesit e anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar dhe për marrjen e masave për sigurimin e mjeteve në vendet e akostuara dhe parandalimin e ngjarjeve dhe situatave gjatë datave 17-18-19.11.2023
Anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjer dhe automjete NUK do të vazhdojnë të operojnë deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike.
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 06:00 të datës 19.11.2023.
Për çdo ndryshim të masave Drejtoria e Pergjithshme Detare do ju informojë!