Djegia e 2 vjeçares me cigare, familja e mbajti 1 javë pa mjekim në banesë, zbulohet kush e kreu aktin

Dy ditë më parë një vajzë dy vjeçe u soll në urgjencën e QSUT-së nga halla e saj, me disa plagë të rënda në trup, të cilat dukej të ishin shkaktuar nga djegia. Teksa vajza u hospitalizua, hetimet nisën për të zbardhur rastin e nëse plagët në trupin e fëmijës sinjalizonin kryerjen e akteve të dhunshme.

Pas kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore, tanimë ngjarja është zbardhur. Dy vjeçarja rezulton të jetë djegur me cigare nga i vëllai i saj, po ashtu i mitur. Në praninë e psikologut, i mituri 9 vjeçar ka pranuar se ka qenë ai që e ka djegur të motrën. I mituri nuk ka shpjeguar arsyen e këtyre veprimeve.

Nga ajo që ka zbuluar ekspertiza mjeko-ligjore, djegiet janë kryer të paktën një javë më parë, ndërsa gjendja e plagëve sugjeron se e mitura nuk është dërguar për kurim. Një tjetër ekspertizë mjeko-ligjore u krye nën dyshimet se e mitura mund të ishte abuzuar seksualisht (kjo pasi të djegurat janë gjetur edhe në pjesët intime të 2 vjeçares). Ky skenar u hodh poshtë nga ekspertiza.

Plagët në trupin e fëmijës ndërkohë janë përkeqësuar duke u infektuar si pasojë e mosmjekimit të tyre në kohë. Autoritetet kanë marrë në pyetje prindërit e të miturës, përfshi dhe të afërmen që e solli në spital vajzën. Policia nisi punën për përgatitjen e dokumentacionit për heqjen e prindërimit. Familja në fjalë jeton në kushte të mjerueshme ekonomike. Vajza ndërkohë, vijon ende të jetë në spital e shtruar në reanimacion.