U aksidentuan në Sarandë, tre të mitur transportohen me ambulancë e helikopter drejt ‘Traumës’ në Tiranë

Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Stjar- Bajkaj ku të plagosur mbetën tre të mitur në moshat 13 e 14 vjeç. Makinën e drejtonte një 14 vjeçar që kishte marrë makinën e të atit.. Gjatë rrugës i mituri ka humbur kontrollin e automjetit dhe ka dalë nga rruga. Të tre të miturit morën lëndime të rënda dhe janë dërguar për mjekim të specializuar në spitalin e Traumës. Njëri prej tyre mbërriti me helikopter për shkak të gjendjes kritike.

Këtë të mërkurë policia vuri në pranga babai e të miturit që ngiste makinën, një 41 vjeçar i identifikuar si Orest Kalo.

Sarandë/Informacion paraprak

Rreth orës 19:25, në afërsi të fshatit Bajkaj, Delvinë, dyshohet se një shtetas i mitur, duke drejtuar një automjet tip “Benz”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga.

Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar shtetasi që dyshohet se drejtonte automjetin dhe 2 shtetas të tjerë të mitur që udhëtonin në automjet (të moshave 13-15 vjeç), të cilët janë transportuar në spital dhe ndodhen në kujdesin e mjekëve.

Policia ka bllokuar automjetin, i cili dyshohet se është në pronësi të babait të njërit prej shtetasve të mitur. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor në afërsi të fshatit Bajkaj, si pasojë e të cilit u dëmtuan 3 shtetas të mitur (drejtuesi i automjetit dhe 2 pasagjerët, të cilët vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve), ju informojmë se: Në përfundim të veprimeve hetimore për këtë rast, specialistët e Qarkullimit Rrugor të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan shtetasin O. K., 41 vjeç, banues në Delvinë, pasi i ka dhënë për ta drejtuar, djalit të tij të mitur, automjetin që u përfshi në këtë aksident rrugor. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori për shtetasin e mitur, drejtues të automjetit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.