Detaje të reja mbi vdekjen e 26 vjeçares shqiptare në Itali: Nën hetim dhe CEO i kompanisë ku ajo humbi jetën

Hetimet për vdekjen tragjike të 26 vjeçares shqiptare Anila Grishaj janë zgjeruar, duke përfshirë dhe drejtuesin (CEO) e kompanisë ku e reja humbi jetën.

Media italiane shkruan së fundmi se prokuroria ka marrë nën hetim dhe CEO-n e kompanisë së specializuar në shitjen e produkteve ushqimore të ngrira. Anilja humbi jetën pasditen e 15 nëntorit, teksa inspektonte një pajisje të re të ardhur në kompani, për paketimin e mallrave. Makineria u ndez gabimisht nga një koleg i 26 vjeçares, e cila u godit në pjesën e kokës e pësoi fraktura vdekjeprurëse në shtyllën kurrizore.

Ende nuk është bërë një vlerësim teknik mbi makinerinë që i mori jetën 26 vjeçares, akt i cili pritet të kryhet në ditët në vijim. Nën hetim për veprën e ‘vrasjes nga pakujdesia’ është kolegu i të ndjerës, personi që aktivizoi makinerinë teksa Anila ndodhej aty pranë për ta inspektuar.

Treviso Today i referohet informacioneve në qarqet e hetuesisë, duke shkruar se deri më tani nuk ka elementë të mjaftueshëm për të nxjerrë përgjegjësi penale në lidhje me mosrespektimin e normave të sigurisë në punë. Makineria që i mori jetën 26 vjeçares ishte sjellë në muajin maj dhe ishte e prodhimit të fundit.

Një nga hipotezat e mundshme është ajo e një ndërhyrjeje anormale në makineri, një situatë që mund të ketë mashtruar kolegun tjetër të të ndjerës, i cili kësisoj është detyruar të rindezë makinerinë me besimin se është fikur gabimisht.

Gjithsesi, kamerat e sigurisë e kanë filmuar dinamikën e ngjarjes së rëndë, dhe përbëjnë një element të rëndësishëm prove, për të kuptuar se çfarë veprimesh ka kryer 26 vjeçarja e si qëndrojnë këto të fundit në raport me protokollet e sigurisë

Të shumta kanë qenë rastet kur në Itali, punëtorët kanë humbur jetën në vendin e punës. Ngjarje të tilla i kanë hapur rrugën një komisioni hetimor parlamentar, i cili së fundmi ka vizituar dhe ambientet ku humbi jetën 26 vjeçarja shqiptare.