Ndahet nga jeta humoristi shkodran Zef Deda

Aktori i mirënjohur Zef Deda, është ndarë nga jeta në moshën 73 vjeçari. Humoristi shkodran prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai do të përcillet të nesërmen për në banesën e fundit, ndërsa homazhet në nder të tij do të mbahen në teatrin “Migjeni” në Shkodër.

Kush ishte Zef Deda?

Zef Deda lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. U shkollua në qytetin e tij të lindjes dhe në Politeknikumin e Ndërtimit në Tiranë.  Filloi shkollën e lartë për Gjuhë – Letërsi, por nuk e mbaroi dot për arsye shëndetësore.

Ka punuar për më shumë se 40 vjet në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Talenti i tij spikati që në moshë të vogël. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike, ai arrinte të realizojë qindra figura artistike, prandaj ishte dhe ka mbetur mjaft i dashur për publikun shqiptar, sidomos atë shkodran.

Pas një shkëputje prej 6 vjetësh për shkak te emigrimit jashtë atdheut, ai u kthye në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit , të cilin e vazhdoi me shumë sukses.

Në përvjetorin e tij të gjashtëdhjetë, Presidenti i Republikës i akordoi titullin ” Mjeshtër i Madh”. Zef Deda është i martuar me Rozina Dedën dhe ka dy djem, Julian Dedën dhe Marjan Dedën, të dy artistë. Zef Deda gjithashtu ka interprertuar edhe shumë komedi si: “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, etj.