Zbardhet ngjarja në Vorë: 34 vjeçari tentoi t’i vrasë vëllanë, ushtaraku iu përgjigj me armë

Ergest Hoxha ka tentuar të vrasë me thikë vëllanë e 27 vjeçarit Ermal Muzhaqi, ndaj ky i fundit ka qëlluar me armë në drejtim të 34 vjeçarit. Policia e Tiranës ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së djeshme në Vorë, atje ku oficeri i ushtrisë qëlloi me armën e shërbimit në drejtim të 34 vjeçarit që i goditi të vëllanë ushtarakut në pjesën e krahut.

Policia thotë se shkaqet e sherrit mbeten ende të paqarta, po Hoxha është përpjekur ta vrasë Kidi Muzhaqin.

NOFTIMI I POLICISË:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë për ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme, në Vorë, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës ndaluan shtetasit:

– E. M., 27 vjeç dhe E. H., 34 vjeç, të dy banues në Vorë.

Nga veprimet hetimore të kryera për këtë ngjarje dyshohet se ditën e djeshme, rreth orës 12:20, në Vorë, shtetasi E. H. i është afruar automjetit me drejtues shtetasin E. M. dhe pasagjerë shtetasit K. M. dhe B. A., dhe për motive ende të paqarta, ka tentuar që të vrasë me thikë shtetasin K. M. Në këtë moment ka ndërhyrë drejtuesi i automjetit, shtetasi E. M. (oficer ushtrie), i cili ka plagosur me armën e shërbimit, shtetasin E. H. Shtetasit K. M. dhe E. H. ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.

Policia ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë dhe mjetin prerës thikë, të përdorura në këtë ngjarje, si dhe aparatet celulare të shtetasve të përfshirë. Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për përcaktimin e shkakut të rastit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.