Debati për një vend parkimi ka mjaftuar që dy burra në Lezhë të sulmojnë njëri- tjetrin me kaçavida e armë, ndërsa njëri prej tyre mbeti i plagosur.
Ngjarja ndodhi mesditën e të shtunës në afërsi të shinave të trenit në Lezhë. Gjithçka nisi për një parkim. 35 vjeçari Tonin Ndreca kishte ndaluar furgonin e tij dhe ka debatuar me Marjan Kolën, i cili i ka thënë se po i pengon lëvizjen. Debati verbal është agravuar, teksa dy burrat kanë dalë nga makinat në orvatje për t’u konfliktuar. 35 vjeçari ka tentuar të qëllojë me kaçavidë Kolën, ndërsa ky i fundit ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar të paktën dy herë në drejtim të këmbëve. Mandej autori i plagosjes ka hipur në makinë dhe është larguar.
35 vjeçari Ndreca përfundoi në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 11:00, në qytet Lezhë, në afërsi të shinave të trenit, gjatë një konflikti të çastit që dyshohet për parkimin e automjeteve, shtetasi M. K. banues në Kurbin, ka plagosur me armë zjarri shtetasin T. N. 35 vjeç, banues në Laç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Autori i dyshuar është larguar menjëherë pas ngjarjes dhe vijon ndjekja nga ana e shërbimeve të Policisë për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në vendngjarje, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor.