Boksieri shqiptar nga Kosova Bernardin Jakaj e ka ndërtuar jetën e tij në Vjenë ( Austri) dhe krahas punës së përditshme, ka një pasion të madh, boksin. 26 vjeçari ka një kompani të vetën të vogël me ndërtim, e veç menaxhimit, ai vetë punon si murator. Pas punës, Bernardini shkon në stërvitje. Ai është boksier prej 13 vitesh dhe së fundmi ka spikatur në një përballje sportive, me një boksier serb të quajtur Marko Nikoliç.
“Punoj tërë ditën dhe pastaj shkoj në trajnim. Jam murator dhe kam biznesin tim dhe e financoj pasionin tim që kam boksin, me atë që fitoj me kompaninë time dhe i investoj të gjitha në boks. Kam edhe tre punëtorë edhe unë normale që punoj. Jetoj në Vjenë të Austrisë, jam 26 vjeç dhe merrem me boks prej 13 vitesh. Kemi shkuar pas lufte, jam prej 20 vitesh këtu.“-tregon i riu.
Serbi e pati provokuar para sfidës 26 vjeçarin shqiptar, por Jakaj e tregoi forcën e tij në ring, duke e katandisur serbin me sy të nxirë. Në një intervistë për abc-në e mëngjesit, boksieri kosovar tha se si kundërpërgjigje ndaj ofendimeve, serb mori “grushtet fytyrës”.
“Kjo është motiv shtesë për mua, ky provokim që ka bërë ky. Ai e ka treguar veten se nuk është sportist, ashtu provokimesh nuk bëhen në rrjete sociale, por ai për vete e ka, dhe për vete ka marrë grushte”, tha ai.