Nëna thërritet për të identifkuar të birin, vdekja tragjike e 29 vjeçarit shqiptar në Greqi

Familja e kërkonte që prej 29 tetorit. U përballën me tragjedinë pak ditë më parë, kur autoritetet i njoftuan për të parë trupin e pajetë të një të riu, që dyshohej se i përkiste djalit të tyre. Ishte nëna e 29 vjeçarit Angjelo Avdiu, ajo e cila e identifikoi të birin, shkruan media greke. Nëna e njohu të birin nga dhëmbët dhe disa rroba të tij, të gjetura pranë trupit.

I riu shqiptar u gjend në qytezën e Kyllini-t, në zonën e Elias në Greqi. 29 vjeçari kishte shkuar atje për të takuar disa familjarë, por kishte humbur kontaktet me familjen që prej fundit të muajit të kaluar.

29 vjeçari ishte i varur në një pemë, në një lartësi prej afro 4 metrash. Duart e tij ishin të lidhura, çka i bën të dyshojnë hetuesit se përballë mund të kenë një vrasje.

Një analizë ADN-je po kryhet nga ana e autoriteteve për të hequr të gjitha dyshimet e për të konfirmuar zyrtarisht se trupi i gjetur i përket 29 vjeçarit.

Media greke “Patris” shkruan se ka kontaktuar me vëllanë e Angjelos, i cili sqaroi se është marrë një mostër biologjike nga e ëma për ta krahasuar me ADN-në e trupit të pajetë. Hetuesit kanë gjetur shenja gishtërinjsh tek litarët e laku i vendosur në duart e qafën e 29 vjeçarit dhe po kryejnë ekspertimet për të hedhur dritë mbi rastin.

Media greke shkruan se trupi i të riut u gjet në një shtëpi në një zonë rurale të dielën, nga pronari i shtëpisë. Ky i fundit nuk jetonte në shtëpinë e fshatit prej kohësh dhe kur është kthyer, është përballur me skenën horror.