“Rri zgjuar ditë e natë, se po të mbyll sytë e të bie në gjumë, kam frikë se kur të zgjohem… kam frikë se nuk do ta shoh më, do ta humb përjetë.”
Këto ishin fjalët e babait të Kristinës, 13 vjeçares e cila qëndronte në koma, me një tub oksigjeni që i përshkonte fytin dhe e mbante në jetë. Rasti u publikua disa kohë më parë në “Shqiptarët për Shqiptarët”, ku u bë thirrje për ndihmë nga prindërit e Kristinës. Burrë e grua, nënë e baba, derdhnin lot dëshpërimi, sepse e bija mund t’i ikte nga momenti në moment dhe ata s’mund të bënin dot asgjë.
Brenda një kohe rekord, mijëra shqiptarë dhanë diçka nga vetja për Kristinën e vogël dhe 13 vjeçarja u nis për kurim jashtë shtetit.
Tanimë, na kanë ardhur lajme të mrekullueshme nga familja. Kristina është zgjuar nga koma dhe jo vetëm. Ajo tanimë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka dashur të përshëndesë këdo shqiptar zemërmirë që u lut e dhuroi për kurimin e saj.