Pamje, zjarr në shtëpinë e të moshuarve në Fier, 10 persona përfundojnë në spital

Një zjarr ka rënë këtë pasdite në shtëpinë e të moshuarve në Fier. Si pasojë e flakëve dhe tymit, të paktën 10 të moshuar janë dërguar në spital. Pesë prej tyre nuk kanë pësuar asfiksi, por për shkak se janë atsmatikë, janë dërguar për kontroll në spital.

Zjarri ka nisur në kabinën elektrike që ndodhet pranë godinës, ndërsa shtëllungat e tymit kanë depërtuar në katin e dytë të shtëpisë së të moshuarve, duke krijuar fillimisht idenë se zjarri mund të kishte nisur atje.

Nga dyshimet paraprake, pistat me shkakun janë një shkëndijë elektrike ose një zjarr i qëllimshëm. Policia ka nisur hetimet dhe këqyrjen e kamerave të sigurisë aty pranë, për të hedhur dritë mbi ngjarjen.

“Ka qenë një zjarr aksidental në fakt në pjesën e prapme të godinës ku është kabina elektrike që furnizohet e gjithë godina. Aty për momentin duket vatra e parë e zjarrit dhe pastaj sigurisht pjesa e tymit ka bërë punën e vet kryesisht në pjesën e prapme ku është kuzhina dhe mensa. Për fat të mirë orari ka qenë i tillë që shumica e të moshuarve kanë qenë nëpër dhoma, pra nuk kanë qenë as në mensa as në kuzhinë”, tha kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi.

Rreth orës 15:30 në shtëpinë e të moshuarëve Fier, në katin e dytë, ka rënë zjarr. Shërbimet e Policisë dhe shërbimet zjarrëfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për fikjen e zjarrit. Të gjithë të moshuarit janë evakuuar dhe disa prej tyre janë dërguar në spital për asistencë mjekësore pasi nuk janë ndjerë mirë për shkak të tymit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkakut të rënies së zjarrit.“-tha policia përmes njoftimit paraprak.