Sherr për një kanal, 70 vjeçari në Kamëz vret komshiun, plagos dhe një 50 vjeçar

Një vrasje ka ndodhur pasditen e të enjtes në Kamëz, atje ku një i moshuar në moshën 70 vjeçare ka qëlluar me armë zjarri komshiun e tij 55 vjeçar, fill pas një sherri për motive banale.

Autori i dyshuar i identifikuar si Maliq Marku, vrau me armë zjarri shtetasin Shefqet Hasa si dhe plagosi një 50 vjeçar, identifikuar si Besim Keqa. Vrasja e 55 vjeçarit erdhi pas debateve e sherrit për një kanalizim të ujërave të zeza.

“Autori quhet Maliq Marku, 70 vjeç, u arrestua në banesën e tij. Është bërë dokumentimi i ngjarjes. Rezulton se janë dy persona të dëmtuar, Shefqet Hasa i cili ka ndërruar jetë dhe Besim Keqa që ndodhet në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën. Nuk kanë pasur konflikte të mëparshme. Motivi i konfliktit është për motive të dobëta. Ne po bëjmë veprimet tona procedurale. Autori akoma nuk është pyetur sepse është shumë shpejt. Arma ishte pa leje dhe u kap nga shërbimet e policisë në banesë.

Konflikti bëhet fjalë për një kanalizim të ujërave të zeza, që po verifikohet nga ana jonë. Janë në një lagje. Konflikti ka qenë i çastit, pasi nga ana e kanalizim ujësjellësit kanë marrë piketimin dhe kanë kryer veprimet administrative”-tha shefi i komisariatit nr.5 në kryeqytet, Oliger Torba.

Njoftimi paraprak i policisë

Më datë 30.11.2023, në Laknas, në rrugën “Fatos Shupi”, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi M. M., rreth 70 vjeç, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Sh. H., rreth 55 vjeç, si dhe ka plagosur shtetasin B. K., rreth 50 vjeç.

Shtetasi B. K., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Autori i dyshuar është arrestuar në flagrancë, si dhe është sekuestruar dhe arma e përdorur gjatë krimit.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.