“Më ofenduan…jam penduar për veprimin” Flet i moshuari që i mori jetën fqinjit për një kanal

 “Ata erdhëm e më ofenduan, unë kërkova të sqaroja situatën”

Këto janë fjalët që ka thënë 70 vjeçari Maliq Marku para hetuesve, burri i cili të enjten në zonën e Laknasit i mori jetën fqinjit të tij dhe la të plagosur një tjetër.

Përpara policisë, 70 vjeçari tregoi se prej disa kohësh ai dhe dy fqinjët kishin patur mosmarrëveshje për një kanalizim të ujërave të zeza.

“Ngjarja ndodhi shumë shpejt, Shefqet Hasa dhe Besim Keça më ofenduan. Kemi pasur mosmarrëveshje për kanalizimet kërkova që të sqaroja situatën. Në gjaknxehtësi e sipër mora armën dhe qëllova ndaj tyre. Qëllova për vetëmbrojtje, jam penduar për veprimin tim”-tha autori dyshuar.

Policia ndërkohë, ka bindjen se 70 vjeçari ka dashur të vrasë të dy fqinjët e tij, në një konflikt që ka për çështje një kanalizim të ujërave të zeza.

Sipas banorëve të lagjes, konflikti ka nisur prej vitesh pasi palët nuk janë marrë vesh për pusetat e kanalizimet. Konflikti ka degraduar pasi kohët e fundit 70 vjeçari ishte kthyer nga emigrimi dhe kishte kërkuar të kryente punime.

Dy fqinjët kanë debatuar me të moshuarin, i cili i është kundërpërgjigjur me armë zjarri. 4 plumba qëlluar ndaj Hasës i kanë marrë atij jetën në vendin e ngjarjes, ndërkohë që fqinji tjetër mori dy plumba, njërin në bark e tjetrin në këmbë. Ky i fundit ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.