Prishtinë: Foshnja ndërron jetë gjatë lindjes, familja padit në polici mjekët

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e të enjten në klinikën e gjinekologjisë dhe obstetrikës në Prishtinë, atje ku një grua ka lindur foshnjen e saj të pajetë.

Babai i foshnjes së ndjerë ka denoncuar rastin në polici, duke pretenduar për trajtim të papërgjegjshëm mjekësor në QKUK.

“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se, pasi e ka dërguar bashkëshorten për lindje në repartin e gjinekologjisë, e ka kuptuar se foshnja ka vdekur. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Një prej mediave në Kosovë ka konstantuar me drejtuesin e klinikës së gjinekologjisë Zef Ndrejaj, i cili ka thënë se vdekja e foshnjes po hetohet për shkak të ndonjë anomalie që do të bëhet e qartë pas shyqrtimit të rastit.

“Vdekja  e frytit ka ndodhë brenda në mitër. Ka shkaqe të shumta, mundet ndonjë anomali e frytit apo ndonjë arsye tjetër. Rasti është duke u shqyrtar”, tha Ndrejaj për Sinjalin.

Prokuroria ka urdhëruar që trupi i pajetë i foshnjes të dërgohet në institutin e mjekësisë ligjore për të hedhur dritë mbi shkakun e vdekjes.