Vrasja e Liridonës, prangoset i shoqi! Dyshime se pagoi bashkëfshatarin për të eleminuar nënën e dy fëmijëve

Dy persona janë arrestuar për vrasjen e Liridona Murselit dy ditë më parë në Prishtinë, e njëri prej tyre rezulton të jetë bashkëshorti i kësaj të fundit. Policia ka njoftuar arrestimet këtë pasdite, ndërsa mediat e Kosovës kanë mësuar se i arrestuari i dytë është një banor i Gjakovës që kishte njihje me bashkëshortin e Liridonës.

Express shkruan duke iu referuar burimeve në polici, se personi nga Gjakova, u ka thënë hetuesve se ka qenë Naim Murseli ai që e ka porositur atë të vrasë bashkëshorten, me të cilën kishte dy fëmijë. Po sipas dëshmisë së të arrestuarit, Murseli e ka paguar 30 mijë euro që vrasja të ngjante si një grabitje e shkuar keq.

 “Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar.” –konfirmoi mbi rastin zëdhënësja e policisë për rajonin e Kosovës.

Veç kësaj, autoritetet kanë konfirmuar se vijojnë bastisjet në disa lokacione në Gjakovë, prej nga ku vjen Murseli.

 “Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë.” – ka thënë zëdhënësja Ahmeti.