“Fëmijët ende nuk e dinë” Rrëfimi emocional i vëllait të Liridonës, gjykata merr vendim për Naim Murselin e 2 të tjerët

Teksa Naim Murseli e dy të arrestuarit e tjerë për vrasjen e Liridonës hynin në gjykatë  në ambientet e pasme, larg kamerave, përpara gazetarëve doli Leonardi, vëllai i Liridonës së ndjerë.

Në një rrëfim emocional, vëllai i Liridonës tregoi disa detaje prekëse, duke thënë se vrasja e të motrës ishte kryer në mënyrën më mizore. Leonard Ademaj theksoi para mediave se fëmijët e mitur të të motrës ende nuk e dinë se nëna e tyre është vrarë.

Ndërkohë gjykata themelore e Prishtinës ka vendosur të lërë në burg Naim Murselin si dhe Granit Plavën e Kushtrim Kokallën.

Më poshtë, rrëfimi i plotë i vëllait të Liridonës.

“Liridona u vra në mënyrën më mizore, më makabre. Liridona ishte një grua e fortë, nënë e fuqishme, e ne po e përmbajmë veten sepse ajo kurrë nuk do të donte të na shihte kështu. Një natë përpara, ajo ishte tek ne dhe po bëhej gati të shkonte me fëmijët. I thashë rri, mos shko, se dhe fëmijët rrinë këtu e kënaqen.

Kam qenë në punë kur më ka telefonuar gruaja, më tha që e kanë vrarë Liridonën. Mendova fillimisht për një familjar tonin, me emrin Liridon. Kur kam shkuar në shtëpi, gjendja ishte katastrofale, prindërit e mi ishin alivanosur. Mblodha forcat, nuk desha me besu se Liridona kishte ikur. Kam shkuar në spital me ta në Gjakovë. I kam dhënë qetësues atje. Ne vijuam pastaj rrugën për në Prishtinë, unë nuk u kallxoja se Liridona ka vdekur. Kur mbërritëm në QKUK, policia na tha se duhej të shkonim në policinë në Dragodan, sepse aty ndiqej rasti. Kur arritëm atje, kish kanë Naimi e fëmija brenda, duke u intervistuar. Shkuam tek fëmijët, për të parë qysh janë. Unë e dija se Liridona kish vdek, por para prindërve të mi nuk guxoja me fol. Policia na priti mirë, derisa prindërit e morën dhe ata vesh. U kujdesa disi për fëmijët. Nuk e di sesi kam mujt me qëndru drejt para tyre, kur mu sulëm me përqafime. Më thonin dajë na kan dalë përpara, na i kanë lup paret unë sja kam thënë më tha djali, paret mi dha mua, akoma i kam ato. Më thanë që kanë dalë në rrugë e kena ec, babi na ka kap prej dore, kurse mami ka qenë në kerr (makinë).

Atje Naimi doli e na shpjegoi shkurt, s’kisha dhe unë çfarë t’i thoja, mendoja dhe ai ishte i mërzitur, 13 vite martesë kishte. Na tregoi sesi ka ardhur hajni, tregoi se ai nuk e ka pa, por Liridona po. Hajni na tha nxirrni krejt çka keni. Liridona insistoi diçka në çantë, e unë në atë moment kam dal, kam marrë fëmijët e kam ik. Pas 4-5 metrash kam dëgju një krismë. Por qysh ti, kur dyert u çelën, grabitësi paska shkuar tek Liridona dhe jo tek shoferi makinës. Ai thoshte se hajnit kishin insistu në çantë, por dritarja e makinës ishte fare pak e hapur, ata s’kishin mund me e marr çantën. Na ka tregu se ai ka shku në një shitore dhe që një atje i ka thënë e marr unë policinë e ti mos shko më atje se s’bën me shku… po si mundesh ti, mos me shku tek e shoqja.

Na si familje, ka pas një keqkuptim. Na nuk kemi dhënë 2 ditë besë, por kur kemi fol na kanë thënë se ka dhe dy ditë të pame. Këtu ka qenë keqkuptimi. Baba i ka thënë mbaje të pamen edhe dy ditë. Na gjithçka kemi ia kemi lënë drejtësisë, besojmë tek drejtësia në Kosovë. Fëmijët aktualisht i kanë gjysja dhe gjyshi (nga ana e babait). Tek ne gjendja është katastrofale dhe me ardh tek ne, ata do ta kuptonin menjëherë se diçka nuk është mirë.”-tha Leonardi.