Gjithçka për paratë! Zbulohet motivi i rrëmbimit e vrasjes së 14 vjeçare në RMV, mes të dyshuarve i ati

Po kthehej nga shkolla në momentin kur e rrëmbyen. Vanja Gjorçevska, 14 vjeçarja e shpallur e zhdukur më 27 nëntor në Shkup, u gjet e vrarë mbrëmjen e të dielës në rrethinat e kryeqytetit të Maqedonisë së veriut. Ngjarja ka tronditur mbarë opinionin publik, pasi në mesin e të akuzuarve është dhe babai i vogëlushes, i cili dyshohet se ka organizuar rrëmbimin e të bijës, duke pajtuar një grup kriminal me qëllim zhvatjen e parave nga nëna e 14 vjeçares. Nëna e të ndjerës së fundmi kishte shitur një banesë.

“…të dyshuar janë 5 persona, prej të cilëve për tre është caktuar masa e paraburgimit, njëri është jashtë vendit, kurse personi i pestë (babai i të miturës) është ndaluar nga policia dhe është marrë në pyetje. Motivi është për “përfitim material”, ku njëri nga të implikuarit, në marrëveshje me një anëtar të familjes e kanë organizuar kryerjen e veprës penale, që të zhvatin para nga e ëma e të miturës”, tha Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.

Nga ajo që kanë zbardhur deri më tani autoritetet, dyshimet janë se rrëmbimi ka shkuar keq dhe vajza është vrarë që ditën e rrëmbimit. Kreu i grupit kriminal që mori përsipër rrëmbimin, rezulton të jetë Ljupço Palevski, i cili është dhe drejtuesi i një partie të vogël pro-ruse në Maqedoninë e Veriut.

Palevski është larguar nga RMV drejt Serbisë, më pas në Bullgari. Autoritetet dyshojnë se destinacioni fundor i Palevskit është Turqia, atje ku mendohet se ai është fshehur.

E veç vdekjes tragjike të 14 vjeçares, autoritetet kanë gjetur dhe trupin e pajetë të një të moshuari 74 vjeçar, i zhdukur që më 24 nëntor dhe i vrarë nga i njëjti grup kriminal. Vrasjet duket se kanë lidhje me njëra tjetrën, pasi dyshohet se i moshuari është ekzekutuar për t’i marrë makinën, e cila më tutje është përdorur për rrëmbimin e 14 vjeçares.

Gjatë kohës që ende nuk dihej asgjë për fatin e të miturës, partia nën drejtimin e autorit kryesor të dyshuar, propagandonte se krimi është bërë nga shqiptarët.

“Do të bëjmë gjithçka, unë dhe MPB-ja, që ky monstër që jemi duke e ndjekur, sa më parë, sapo të hyjë në tokën tonë, të dalë para drejtësisë”, deklaroi Spasovski.

Prokurori i rastit Gavril Bubevski tha ndërkohë se nga informacionet e grumbulluara deri më tani, rezulton se babai i viktimës dhe i dyshuari kryesor kanë qenë në kontakt me njëri tjetrin.