Rrëfimi i babait të Naim Murselit: Me e pat ditë që ai e kish bërë, isha hakmarrë vetë… Liridonën e kam dasht si vajzën time

Thotë se është i tronditur, e teksa mundohet të mbajë lotët, thotë se është me Liridonën e familjen e saj, e jo me të birin, Naim Murselin.

Në një intervistë për Nacionalen, babai i Naim Murselit tregoi momentin kur mësoi mbi vrasjen e Liridonës.

“Unë diku rreth orës 8:20 por sa kam hyrë në shtëpi në Suedi, me ka thirr djali i dytë edhe veç me kanë thënë ‘Babë, e kanë vra Liridonën’. Aty plasi vaji. Liridonën e kemi dashtë më shumë se fëmijët e mi. Kemi udhëtuar 35 orë. Gjatë rrugës, unë e kam parë intervistën e dhënë nga Naimi. ‘Na dolën hajnat në rrugë, na i plaçkitën gjërat. Unë ika me fëmijë, gruan ma vranë’. Të vetmin detaj atë e kam pasur. Nuk kisha mundësi edhe me vozitë edhe me përcjellë media.“ – u shpreh ai.

Momenti tjetër i rëndë ka qenë çasti kur ai ka mësuar se i biri ishte i dyshuari kryesor. Lajmin ia tha një oficer i policisë, fill pas kontrollit në dhomën e të birit.

“Besoni, ju betohem… dikush kish pas informacione të ndryshme por unë me që kam qenë që i thojnë ‘kryeshnosh’, kurrë asnjë indikacion se kam ditë. U kry varrimi, jam ardh në shtëpi plotë me njerëz para pas t’u folë, qatëherë e kam taku djalin tim edhe mu ka vërsul tha ‘mos jep deklarata se i prish hetimet’. I thashë që unë s’kam informacion, unë fola vetëm çka dëgjova.

Unë jam shumë i tronditur. Liridonën e kam dashtë më shumë se vajzat e mia. Ishin disa policë aty, kontrolluan, nuk kishte asgjë. Një polic kërkoi ta lirojmë dhomën. Jemi ulur në krevat unë e ai polici. Më tha ‘Zotëri po me vjen shumë keq, kemi prova të mjaftueshme që Naimi është kryersi i veprës’. Aty unë jam trondit sepse me ma pas dhënë krejt botën nuk do të më shkonte as mendja që djali im e bënë atë.

Ta dija se e kishte bërë evlati im, unë isha hakmarrë vetë me djalin tim që atë ditë. Ai s’do ishte gjallë. Liridonën e kemi dashur më shumë se fëmijët e mi. Me familjarët e Liridonës unë njihem prej 50 vitesh. U bëra mesazh të shkojë në varrim, s’më kanë pranuar. Unë i kuptoj, unë jam me ata nuk jam me Naimin, s’kam pasur fytyrë t’u dilja përballë. Fëmijëve nuk i kemi thënë, nuk kemi gjetur forcë (përlotet) nuk kemi gjetur forcë t’u themi”,-tha babai i Naimit, Shaban Murseli.