Kërkoi rigjykim, Apeli vulos dënimin përjetë për Koço Buzon, ish oficerin që vrau të shoqen në mes të Elbasanit

Gjykata e Apelit ka vulosur dënimin me burg për Koço Buzon, ish oficerin 60 vjeçar i cili dy vite më parë i mori jetën të shoqes fare pranë dyerve të gjykatës së Elbasanit.

Apeli në Tiranë ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Buzon, mbrojtja e të cilit kishte ankimuar vendimin e shkallës së parë duke kërkuar rigjykim të çështjes nga një trupë tjetër gjyqtarësh.

Kujtojmë se më maj të vitit 2021, Buzo i kishte bërë pritë të shoqes Liljanës, e cila kishte vendosur të ndahej për t’i shpëtuar dhunës fizike e psikologjike që kishte përjetuar ndër vite. Një ditë më parë Buzo e kishte paralajmëruar të shoqen që të mos shkonte më në gjykatë. Koço Buzo e qëlloi bashkëshorten 7 herë me armë, madje duke lënduar dhe avokatin e saj mbrojtës dhe një kalimtar të rastit. Gjithçka ndodhi para syve të të birit, në atë kohë 18 vjeçar.

Liljana ndërroi jetë, ndërsa ish oficeri u prangos nga policia pas orvatjeve për t’u arratisur nga vendi i ngjarjes. Buzo kishte qenë i përjashtuar nga radhët e policisë, njihej si person me sjellje të dhunshme dhe përdorues i alkoolit.