Tanimë ajo është në duar të sigurta, e në dashtë i Gjithëmëshirshmi, Marina do ta kalojë, do të çlirohet nga dhimbjet që e kapluan.
Marina është veçse 8 muajshe, s’mundet të flasë, por ama sytë e shprehia e saj i tregonin të gjitha.
Prekur nga një problem në mushkëri e ezofag, Marina nuk ushqehej prej mëse 12 ditësh. Serumet e mbanin gjallë. Venat në krahë i ishin çarë vogëlushes, e cila serumin e merrte nga koka. Thirrja për ndihmë erdhi nga prindërit, të cilët përmes “Shqiptarët për Shqiptarët”, u lutën për ndihmë nga bamirësit.
Kostoja financiare u mbulua falë bashkimit të mijëra shqiptarëve zemërmirë dhe brenda një kohe rekord, Marina u nis drejt Italisë.
Prindërit e Marinës na kanë dërguar një video të vogëlushes, e cila tanimë duket më e qetë. Lotët e përpëlitjet e dhimbjeve kanë pushuar, ndërsa Marina vijon rrugëtimin drejt shërimit të plotë.
E ne lutemi për Marinën e vogël, që gjithçka të shkojë mirë, që në vend të lotëve të ketë buzëqeshje, e që në vend të dhimbjes, ky ëngjëll i vogël të shohë veç gëzim.