Pa makinë e mobilje në shtëpi, historia e Geoffrey Holt… njeriu që i fali miliona dollarë banorëve të qytezës së tij

Geoffrey Holt ishte njeri modest. Punonte si kujdestar i një parku në një qytezë të vogël të quajtur Hinsdale (SHBA).

Atë e gjeje nëpër qytet me korrësen e tij të barit, me rroba të vjetra, apo duke blerë ndonjë send a ushqim në market. Ndër vite, ai u kishte mësuar të rinjve sesi të drejtonin makinën, por vetë makinë nuk kishte. Po të shkoje në shtëpinë e tij nuk gjeje mobilje, madje as televizor.

Në korrik të këtij viti, Holt ndërroi jetë dhe pas la diçka me vlerë, për të 4500 banorët e qytezës së tij. Në të vërtetë Holt ishte milioner dhe në testamentin e tij, pasurinë prej afro 4 milionë dollarësh e kishte lënë si dhuratë për edukimin, shëndetësinë dhe aktivitetet kulturore të qytezës.

Testamentin e lexoi miku i tij i vjetër Edwin Smith, i cili e përshkruante Holtin si një njeri që kishte atë që donte në jetë.

“Ai dukej se kishte atë që donte, por nuk donte shumë”-tha i moshuari në një intervistë për Associated Press.

Vetë Smith e kishte mësuar faktin se miku i tij ishte multimilioner disa vite më herët, teksa Holt i kishte treguar se përgjatë dekadave ai kishte investuar financiarisht në një sërë kompanish, duke akumuluar kësisoj shumën e madhe të parave.

Testamenti i Holt kishte udhëzime të shkurtra: 3.8 milionë dollarë në qytetin e Hinsdale për të përfituar komunitetin në fushat e arsimit, shëndetësisë, rekreacionit dhe kulturës.

“Unë nuk mendoj se dikush e kishte idenë se ai ishte kaq i suksesshëm,” tha Steve Diorio, kryetar i bordit të përzgjedhjes së qytetit i cili herë pas here i tundte me dorë Holt nga makina e tij. “E di që ai nuk kishte shumë familje, por gjithsesi, t’ia lë në qytetin ku jetonte… Është një dhuratë e jashtëzakonshme.”

Në qytezë janë zhvilluar disa projekte të cilat do të financohen me paratë e Holt dhe do të kryhen nga organizata të ndryshme. Organizatat do të jenë në gjendje të aplikojnë për grante nëpërmjet një trusti përmes Fondacionit Bamirës të Neë Hampshire, duke marrë nga interesi, afërsisht rreth 150,000 dollarë në vit.

Hinsdale do të “shfrytëzojë paratë e lëna me shumë kursim siç bëri z. Holt,” tha Kathryn Lynch, administratore e qytetit.