“Për të jetoja, nuk e di si do ja bëj” Flasin prindërit e të rinjve që humbën jetën në aksidentin tragjik

“Hajdeni shpejt, ka ndodhur një aksident, një makinë ka përfunduar në lumë”

Në orën 03:40 të natës ka qenë ky mesazhi që kanë marrë oficerët e poliisë në Portogruaro, të cilët janë nisur me urgjencë drejt Borgo Sant’Agnese, pak metra larg qendrës së qytezës. Mbi urën që kalon lumin Reghena, dallohej një makinë BMË e zezë, e zhytur në ujë. E në të, tre të rinj të pajetë, Altini, e fejuara Giulia dhe Egli.

Aksidenti i një dite më parë në rajonin e Venecias ka tronditur mbarë opinionin publik italian, ndërsa së fundmi media vendase ka mundur të sjellë reagimet e prindërve të viktimave.

Altin Hoti (shoferi), Giulia di Tillio dhe Elgi Gjeci sapo kishin përmbyllur takimin e tyre dhe po shkonin nëpër shtëpi. Bashkë me ta do duhej të kishte qenë dhe një tjetër mik i tyre, por këtë të fundit e kishte zënë gjumi në shtëpi. Me gjasë të rinjtë e kanë diskutuar këtë fakt, pa e ditur se në një kthesë të qytezës ata do të humbnin jetën. Aksidenti ndodhi veçse 2 minuta larg shtëpisë së Giulia-s, e cila do të dilte e para nga makina, dhe vetëm 4 minuta tutje shtëpisë së Eglit, i cili jetonte me familjen dhe dy vëllezërit e tij në Portogruaro.

Ende mister motivi i aksidentit. Në asfalt duken shenja të qarta të frenimit të fortë jo shumë larg këmbëve të urës, atje ku makina u përplas e më pas fluturoi drejt e në ujë. Siç shkruan media italiane, Altini ishte i lidhur me BMË-në e tij. Mjeti nuk ishte i tipit të fundit, por ishte i personalizuar dhe nuk e ngiste askush tjetër përveç tij. Me përjashtimin e të vëllait Admirit, i cili 6 muaj më parë humbi jetën në një tjetër aksident tragjik.

“Jeta pa ty është shumë e vështirë vëllai im. Mezi pres orën për t’u ritakuar me ty, shpresoj vjen shpejt ajo ditë”-shkruante Altini më 27 shtator në rrjetin social, teksa kujtonte humbjen tragjike të të vëllait 18 vjeçar.

Giulia, viktima tjetër e aksidentit, ishte studente e ekonomisë dhe në marsin e vitit të ardhshëm diplomohej. Ajo kishte gjetur një shtëpi për të dalë më vete dhe mësonte gjimnastikë artistike nëpër shkolla, duke ndjekur hapat e nënës së saj.

“Të dish se këtë mbrëmje nuk do t’ja dëgjoj dot zërin, ashtu si përherë, kjo më shkatërron… Nuk e di sesi do t’ja dal, unë jetoja për të”-thotë babai i Giulias, Vittorio Di Tillio.

Më i riu i grupit ishte Egli. I apasionuar pas futbollit ai e kishte lënë sportin në kohën e Covid dhe aktualisht punonte në një punishte tapicerish për mobiljet. Egli së shpejti do të niste një punë të re, në një prej punishteve të drurit në zonë.

“Tregojini të gjithëve se kush ishte djali im… njeri i mirë, i dashur, i qeshur dhe përherë pranë të motrës”- tregon e dëshpëruar nëna e Eglit, Migena.

Egli kishte përfunduar shkollën profesionale dhe menjëherë kishte nisur punën.

“Im bir ishte përherë duke mbështetur miqtë, familjen… kur në maj shoku i tij Admiri (vëllai i Altini) humbi jetën, Egli shkonte shpesh për t’i takuar nënën. I tregonte keqardhjen e tij e shpesh herë duke e përshëndetur, e bënte të ndihej mirë… në i thonim përherë ‘Egli kujdes me makinën’. Por edhe kur ai nuk e merrte makinën, kishte përherë ato të miqve”-përmbylli rrëfimin e saj nëna e të ndjerit.

Burimi: Venecia Today/ Përshtati: Fch.al