Ende nuk i besohet sesi pak më shumë se një javë më parë, gjithçka ishte mirë. Ana shkonte në shkollë. Por tanimë prej 7 ditësh, ajo ndodhet në spital e gjendja e saj shëndetësore, ka njohur vetëm përkeqësim.
Një sëmundje e rrallë i ka sulmuar të gjitha organet e trupit. Deri më tani i ka ‘marrë’ veshkat, ndërsa mjekët e kanë lidhur vogëlushen me aparatin e dializës.
“Unë jam Ana… më dhemb shumë barku, ndjehem shumë e mërzitur, e dorëzuar. Dua të iki nga ky spital dhe të shërohem sa më shpejt.”-thotë 10 vjeçarja.
Koha nuk pret për Anën, për shkak të agresivitetit të sëmundjes. E teksa dhimbjet veç shtohen, Ana lutet për ndihmën e shqiptarëve, pasi familja e saj nuk mundet dot kurrë të përballojë kostot e mëdha të kurimit jashtë shtetit.
“Dua të shkoj në shtëpi, të takoj vëllanë, më ka marrë shumë malli ta takoj. Për të gjithë shokët e shoqet e klasës më ka marrë malli. Dua të kthehem në bankën time. I lutem të gjithë shqiptarëve, do të ishte dhurata më e bukur, të dal nga ky spital. Ju lutem të gjithëve, më ndihmoni të shpëtoj.”-lutet vogëlushja.