Pamje video: 3 vjedhje brenda ditës në Kavajë, një e mbetur në tentativë… ndalohet 49 vjeçari

Një 49 vjeçar nga Kavaja ka rënë në prangat e policisë nën akuzën e grabitjes së të paktën 3 dyqaneve në qytet, vjedhje të cilat ai i kreu brenda ditës.

“Në vijim të patrullimeve në terren dhe bashkëpunimit me qytetarët, të intensifikuara gjatë muajit dhjetor, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, me qëllim parandalimin e vjedhjeve, si dhe për arrestimin e shtetasve që kryejnë këtë krim, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë administruan menjëherë kallëzimet për 4 raste vjedhjesh/tentativa për vjedhje, të kryera gjatë ditës së djeshme.

Si rezultat i veprimeve profesionale hetimore dhe procedurale, u identifikua, u kap dhe u arrestua shtetasi Xh. Xh., 49 vjeç, banues në Kavajë.

Dje, 49-vjeçari, në lagjen nr. 2, dyshohet se ka vjedhur shuma parash dhe sende, në 3 biznese, si dhe ka tentuar të vjedhë, në një biznes tjetër.

Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer shtetasi Xh. Xh.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë.”-njofton policia.