Vrasja brenda burgut të Peqinit, i dënuari përjetë Sokol Mjacaj i merr jetën Arben Lleshit

Ka ndërruar jetë  në burgun e Peqinit si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit, i dënuari përjetë Arben Lleshi. I burgosuri u qëllua për vdekje nga një tjetër i dënuar përjetë i quajtur Sokol Mjacaj, në një prej ngjarjeve më të pazakonta në burgjet shqiptare.

Mjacaj rezulton ta ketë mirëorganizuar atentatin në ambientet e burgut. Pasi ka dalë nga qelia për ajrimin, Mjacaj ka shkuar tek dritarja e qelisë së Arben Lleshit e Indrit Shaqajt, duke qëlluar me një armë zjarri në drejtim të tyre. Dy të burgosurit u plagosën, ndërsa Lleshi ndërroi jetë më vonë.

Pas krimit Mjacaj është fshehur në qeli dhe nuk ka pranuar të dorëzohet. Ai ka kërkuar siguri për jetën e tij, ndërsa pas negociatave me drejtorin e burgut, ka pranuar të vetëdorëzohet. Ka hedhur larg vetes pistoletën me mulli, ndërsa brenda qelisë janë hedhur një palë pranga, me të cilat Mjacaj është vetëprangosur.

Disa orë më vonë, Mjacaj është dërguar drejt ambienteve të drejtorisë së policisë në Elbasan, ku dhe do të merret në pyetje. Dyshimet janë se atentati mund të ketë qenë i paguar, ndërsa arma e krimit mendohet të ketë hyrë në burg përmes një droni.

Pas marrjes në pyetje, Mjacaj do të dërgohet sërish në burg, por kësaj here nën një rregjim shumë më të rreptë, siç është “41 bis”.

Kujtojmë se në korrik të vitit 2015 Sokol Mjacaj vrau dy turistë çekë në fshatin Prekal të Dukagjinit. Pas arrestimit e zbardjes së ngjarjes, Mjacaj u dënua me burgim të përjetshëm.

Viktima Arben Lleshi, po ashtu ka qenë i dënuar përjetë për vrasjen e një bashkëatdhetari. Ai është autori i vrasjes së Agim Hoxhës, në 10 prill 2012. Mediat britanike shkruanin atëherë se Hoxha u vra në një apartament në qytetin anglez të Southempton, dhe më pas, trupi i tij u dogj në një makinë tip “Mercedes Benz”.

Indrit Shaqja është i dënuar për vrasjen e dy të moshuarave Elsa e Gjinofeva Vava, mesnatën e 1 shtatorit të 2014.