“Orjol Lame do të mund të marrë pjesë në gjyq”.
Është ky vlerësimi i mjekut ligjor Moreno Lusetti, i ngarkuar për vlerësimin e gjendjes fizike e mentale të të riut shqiptar, i cili një vit më parë teksa drejtonte makinën e tij, u përplas me murin e një banese në Reggio Emilia. Të gjithë personat në bord, 4 persona, humbën jetën. Mes viktimave ishte e shoqja 22 vjeçare Shane Hyseni, vogëlushi 1 vjeçar i çiftit Matiasi si dhe dy të mitur të tjerë, motra e vëllai i Shanes, esati 11 vjeçar dhe Rejana 9 vjeçe.
Media italiane i është rikthyer së fundmi rastit tragjik që ndodhi më 30 tetor të vitit 2022. Lame udhëtonte me një makinë Fiat Stylo, nën efektin e lëndëve narkotike e alkoolit. Vetë 32 vjeçari përfundoi në koma dhe u zgjua pas tre muajsh.
Tanimë duket se organi i akuzës në Italinë fqinje, do ta çojë të riun në bankën e të akuzuarve, i cili me t’u zgjuar nga koma e dalë nga spitali, erdhi në Shqipëri. Në atë kohë gjykata vlerësoi se ai ishte i paaftë mendërisht të merrte pjesë në gjyq.
Por tanimë mjeku ligjor Lusseti, shkruan media fqinje, ka dalë në konkluzionin se Orjol Lame është i aftë për t’u përballur me gjyqin dhe akuzën për vrasje të shumëfishtë në aksident rrugor.
Corriere shkruan se dërgimi eventual i Lames në bankën e të akuzuarve, ka qenë një lajm i shumëpritur për prindërit e viktimave, që humbën në aksident tre fëmijë dhe nipin.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i Lames është shprehur se 32 vjeçari është i gatshëm të përballet me drejtësinë
“Ardhja e Lames në Itali për akt-ekspertimet tregon vullnetin e tij për të mos iu shmangur përgjegjësive”-ka thënë avokati mbrojtës i 32 vjeçarit, Giuseppe Caldarola.
Aktualisht Lame ndodhet në Shqipëri. Nuk është konsideruar si një person me rrezikshmëri e kësisoj nuk është parë e arsyeshme që ndaj tij të vendoset një masë më e ashpër ndalimi.