Plagosja në Shkodër: Identifikohet autori, 40 vjeçari u qëllua me armë 4 herë për një borxh

Policia e Shkodrës ka mundur të identifikojë personin i cili qëlloi  me armë zjarri 40 vjeçarin Aleksandër Curaj. Autori me inicialet D.B, e ka qëlluar katër herë me armë 40 vjeçarin që aktualisht ndodhet i shtruar në spital, në gjendje kritike.

Dyshohet se gjithçka ka nisur për shkak të një borxhi që viktima i kishte autorit të ngjarjes së kësaj të hëne. Pasi D.B e ka qëlluar me armë të riun, ai është parë nga dëshmitarët të largohet me një biçikletë.

E teksa puna për kapjen e 59 vjeçarit vijon ende, 40 vjeçari i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe vijon ende të jetë në rrezik për jetën.

Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për plagosjen e shtetasit A. C., 40 vjeç, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, informojmë se si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të plagosjes, shtetasit D. B., 59 vjeç, banues në Lezhë.  Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasi D. B. e ka plagosur shtetasin A. C., për shkak të një borxhi që i kishte ky i fundit. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin e zonës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasit D. B.“-njoftoi policia.