27 hëna dhe unaza ‘Zeta’…. “James Webb” kap pamje spektakolare nga planeti Uranit

Teleskopi hapësinor “James Webb” ka fiksuar imazhe me të vërtetë mbresëlënëse nga planeti i Uranit, një gjigand i gaztë i sistemit tonë diellor, me distancë afro 3 miliardë km larg Tokës.

Duke përdorur spektrin e dritës infra të kuqe, teleskopi ka mundur të kapë në detaje unazat e Uranit, 27 hënat e njohura të planetit dhe karakteristikat atmosferike të gjigandit të gaztë.

Në imazh dallohet dhe unaza ‘Zeta’, një unazë që ndodhet afër planetit dhe është tepër e vështirë për t’u dalluar nga teleskopët e tjerë.

Urani është planeti i 7-të në sistemin tonë dielor dhe ka veçori mjaft unike. Urani ka një kënd rrotullimi prej 97.7 gradësh duke bërë që në polet e planetit të ketë mot ekstrem. Planetit i duhen 84 vite që të kryejë një rrotullim përreth diellit (Tokës i duhet 1 vit) dhe polet për disa vite përjetojnë ditë e për disa vite të tjera errësirë totale.