Konkluzionet e autopsisë: E reja shtatzënë është dhunuar fizikisht, mandej goditur 8 herë me thikë nga ish- i dashuri shqiptar

Vanessa Ballan, nëna 26 vjeçare e cila ishte shtatzënë në muajin e tretë, ka vdekur në mënyrë brutale e të shpejtë.

Kështu ka konkluduar ekspertiza mjeko-ligjore, kryer mbi trupin e të ndjerës. Media italiane shkruan se para se 26 vjeçarja të qëllohej 8 herë me thikë nga ish i dashuri shqiptar, ky i fundit e ka rrahur. Në fytyrën e të ndjerës janë konstatuar shenjat e lëna nga goditja me grushte, përfshi këtu edhe në pjesët e duarve, në momentet kur 26 vjeçarja ka tentuar të mbrohet nga goditjet.

Ajo çka del nga autopsia mbi mënyrën e vdekjes së Vanesës është akoma edhe më tragjike. Thika e përdorur, 20 cm, ka përshkruar organet vitale të 26 vjeçares. 7 nga 8  goditjet me thikë kanë qenë të thella. Dy goditje të thikës i kanë çarë mushkëritë, ndërsa një prej goditjeve i ka përshkuar tejpërtej zemrën 26 vjeçares. Madje nga ajo që mëson “Ansa”, vrasësi ka rrotulluar thikën gjatë goditjeve, për të qenë i sigurt se plagët do të ishin fatale.

Fetusi

Prokuroria e Treviso-s ka kërkuar dhe një autopsi mbi fetusin, për të mësuar nëse foshnja ishte i 41 vjeçarit apo i të shoqit të të ndjerës.

“Është një element i cili ka rëndësi të caktuar dhe që do të sqarohet më tutje”-shpjegoi prokurori i çështjes Marco Martani.

“Ende nuk mund të themi në këtë fazë të hetimit, nëse ai e dinte se viktima ishte shtatzënë”-shtoi mandej prokurori.

Hetimet

Ndërkohë avokatët mbrojtës të 41 vjeçarit, Chiara Mazzoccato e Daria Bissoli, kanë treguar se Fandaj ende nuk ka folur për ngjarjen.

“Nuk ka qenë në gjendje të përgjigjet (ndaj pyetjeve të hetuesve), është ende konfuz”-kanë thënë avokatët.

Video

Në mesin e provave të mbledhura deri më tani, autoritetet kanë në dorë dhe pamje filmike. Së fundmi media italiane ka bërë publik një video, e cila ka regjistruar momentin kur i dyshuari kryesor kapërcen murin e hyn drejt shtëpisë së 26 vjeçares. Nga ajo që dallohet, janë rrobat e personit, të ngjashme me ato që kishte veshur 41 vjeçari shqiptar. Në pamje dallohet po ashtu dhe një borsetë e cila hidhet nga personi në oborin përballë shtëpisë së Vanesës. E njëjta borsetë është gjetur nga autoritetet, në momentin e arrestimit të Fandajt, atje ku kishte një sërë veglash pune.

Mes veglave, një çekiç i lënë në vendin e krimit, që kishte mbishkrimin “7 color”, pikërisht emri i ndërmarrjes së 41 vjeçarit.