Kurti: Serbia po thur plane për të kryer sulme të tjera në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se në Serbi janë duke u bërë plane të reja për të sulmuar Kosovën, njëlloj si akti terrorist i kryer në Banjskë më 24 shtator.

Në një konferencë me Ministrin e Brendshëm Xhelal Zveçla, Kurti theksoi se strukturat terroriste e paramilitare serbe po paguajnë nga 2 mijë euro për pjesëtarë të rinj.

“Tashmë është e qartë që asnjë sulm nuk mund të kryhet pa urdhrin e krerëve të Serbisë. Ata shkaktojnë këto sulme të cilët janë të përgatitura prej tyre e të cilave ua caktojnë kohën dhe urdhërojnë marrjen e masave të sigurisë sipas interesave e planeve të tyre, e mbase edhe të Rusisë. Planet për sulme synojnë destabilizimin e situatës. Kur dëgjohet ky rrëfim natyrisht që ngjan i zymtë por i tillë është realiteti i fqinjit tonë, i cili paraqet edhe kërcënim për neve.

Radoiçiq po vazhdon përgatitjet për sulme të reja ndaj Kosovës, po mban takime sekrete në BIA. Pjesëtarë terroristë po paguhen nga dy mijë euro, ata po strehohen në objektet e tij. Planet për sulme tentojnë destabilizimin e vendit tonë. Në vend se të dorëzon terroristët, Serbia po shfrytëzon ata për sulme të reja. Terrorizimi është sfidë për ne, por nuk do të triumfojë”, tha Kurti.

Kryeministri shpjegoi se sulmi terrorist në Banjskë ishte i porositur nga shteti serb, ndërsa si ‘bazë’ ka funksionuar një kompani e quajtur “Novi Pazar Put”, pronë e vëllezërve Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç.

Urdhri për sulmin e 24 shtatorit i planifikuar dhe organizuar nga shteti serb, ishte kumtuar në mjediset e kompanisë “Novi Pazar Put”. Automjetet arsenali ishin të përqëndruara në këtë lokacion. Kjo kompani që është e sanksionuar nga SHBA është e vëllezërve Veselinoviq dhe Radoiçiqit dhe drejtor është “Gërba” që ka marrë pjesë në luftërat e Kosovës, Bosnjës e Kroacisë, gjithashtu ka qenë drejtori i burgut të Nishit. Një muaj para sulmit në Banjskë, këtë kompani e kishte vizituar Vuçiqi, për ta përuruar ndërtimin e rrugës Rashkë-Novi Pazar. E kishte lavdëruar punën e drejtorit dhe i është referuar si njeriu më i shpejt. E përgëzoi edhe për përurimin e rrugës, tre muaj para kohe me nxitim”, ka deklaruar Kurti, duke treguar detaje tjera.

Aty Vuçiq tha se e ka të vështirë të gjej zgjidhje me njerëzit nga Kosova, duke mu referuar mua. Ai aty akuzonte për sulm, sepse po përgatiste sulm. Gjë që ndodhi më 24 shtator. Pas sulmit, Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tani po organizon sulme të tjera me pjesëtarë të Mbrojtjes Civile. Ai po mban takime me BIA-n, në ambientet e firmës Jablanovica në Rashkë po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoicic dhe grupi i tij. Në këtë ndërtesë strehohen pjesëtarë të mbrojtjes civile që kryejnë vëzhgime, e që instruktor e kanë Uglejsha Jarenicin. Ata po strehohen dhe përveç akomodimit, ata paguhen rreth 2 mijë euro në muaj”, ka thënë kryeministri

Kurti ka treguar se kush po i bën këto përgatitje.

Trajnimet drejtohet nga ushtarak të pensionua serb, të cilët kanë grada të larta si gjeneral, kolonel e nënkolonel dhe të cilët kanë njohuri për Kosovën, të cilët mbase kanë shërbyer në ushtri edhe gjatë kohës së fundit në Kosovë. Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërore dhe për snajper”, ka thënë Kurti.