Nga Durrësi në Korçë për të festuar me shokët, gjendet i pajetë 18 vjeçari

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në orët e vona të natës në lagjen nr.17 në Korçë, atje ku është gjetur i pajetë në anë të trotuarit një 18 vjeçar nga Durrësi, me inicialet G.M.

Autoritetet njoftuan se i riu dyshohet të jetë vetëhedhur nga kati i 8-të i një pallati, në zonën pranë terminalit të Korçës. 18 vjeçari kishte shkuar në Korçë me një sërë miqsh për të festuar. Të rinjtë kishin marrë me qira një hyrje. Pas festimeve në mbrëmje, ka ndodhur ngjarja e rëndë.

Dyshimet janë se i riu mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit kur është vetëhedhur nga tarraca e pallatit.

 “Më datë 25.12.2023, rreth orës 03:50, në lagjen nr. 17, Korçë, në trotuar, është gjetur i pajetë shtetasi G. M., 18 vjeç, banues në Durrës. Nga hetimet e para dyshohet se ky shtetas nën efektin e pijeve alkoolike, mund të jetë vetëhedhur nga tarraca e një pallati, në të cilin 18-vjeçari së bashku me disa shokë të tjerë kishin marrë me qera ditore, një hyrje apartamenti në katin e tetë (të fundit) të tij”, sqaron policia.