Java e fundit e vitit, si parashikohet të jetë moti në Shqipëri

E hëna shënon nisjen e javës së fundit për vitin 2023. Moti pritet të jetë i qendrueshëm përgjatë thuajse të gjithë kësaj jave, teksa reshjet e shiut duket se do t’i lënë vendin motit të kthjellët. Sipas meteorologëve, pritet që kjo javë të shënojë vlera maksimale deri në 20 gradë celsius gjatë orëve të paradites e drekës, ndërsa vlerat minimale zbresin deri në 4-5 gradë. Përjashtim do të bëjnë vendet malore ku temperaturat minimale mund të shkojnë deri në 0 gradë celsius.

Pritet që deri ditën e premte, të ketë luhatje të vogla të temperaturave përgjatë gjithë territorit të vendit, duke bërë që maksimumet e minimumet e vlerave të pësojnë një rënie të lehtë. Në ultësirën perëndimore parashikohet që moti të jetë pa shi dhe me intervale të gjata kthjellimesh.