E bija jetime u prek nga leuçemia, shqiptarët ia dërguan për kurim… nëna ka një mesazh për bamirësit

Sa e vështirë ka qenë jeta e kësaj nëne, aqsa zor të gjesh një të ngjashme me të sajën.

Edlira është nënë e dy fëmijëve dhe vajzën e të birin i rriti e vetme pasi i shoqi fatkeqësisht ndërroi jetë. Ajo nuk kishte një banesë dhe shpesh herë kishte menduar t’i jepte fund jetës. Ishin shqiptarët bamirës ata që ia ndriçuan jetën. Falë bamirësisë Edlira u bë me banesë. Jetoi disa vite e lumtur, por më tutje erdhi sprova… më e vështira për një prind.

Klodiana, vajza e saj 13 vjeçe, u prek nga leuçemia. E dëshpëruar, ajo u përgjërua për ndihmë. Po sërish shqiptarë iu përgjigjën. Klodiana u nis për kurim falë bamirësisë së mijëra njerëzve dhe nisi rrugëtimin e gjatë të përballjes me sëmundjen e rëndë.

Tanimë jemi pranë fundit të këtij viti dhe Edlira na ka dërguar një videomesazh që me të vërtetë na sjell grohtësi në zemër. Klodiana është trajtuar dhe deri më tani gjithçka shkon mirë.

“Ju përshëndesim, jemi në fundin e vitit 2023… ne ju falenderojmë shumë të gjithëve, që bëtë të mundur kurimin e vajzës sime. Dua të falenderoj me gjithë shpirt Fondacionin Firdeus, Elvis Naçin, që po na mbështesni akoma financiarisht dhe moralisht. Jam shumë e lumtur e inshallah mbarojmë sa më shpejt e kthehemi në Shqipëri”-thotë Edlira.