Itali: Ambulanca përplaset me autobusin me fëmijë… 4 të vdekur, mes tyre mjeku shqiptar

Një aksident tragjik ndodhi në Italinë fqinje të mërkurën, ku në autostradën mes Urbinos e Fermignano-s u përplasën kokë më kokë një autoambulancë dhe një autobus me pasagjerë.

Për pasojë 4 personat që ndodheshin në ambulancë humbën të gjithë jetën, përfshi këtu dhe një mjek shqiptar.  Viktima shqiptare është identifikuar si shtetasi Sokol Hoxha. 40 vjeçari humbi jetën së bashku me Stefano Sabbatini (shofer), Cinzia Mariotti di Acqualagna (infermiere) dhe pacientin që po transportohej me ambulancë, 85-vjeçari Alberto Serfilippi.

Nga pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë (aksidenti ndodhi brenda në një tunel), rezulton se në momentin e përplasjes autoambulanca po lëvizte pjesërisht në korsinë e kundërt në një kthesë brenda tunelit.

Si pasojë e përplasjes, autoambulanca ka marrë flakë.

Në autobus ndërkohë të gjithë pasagjerët, shumica fëmijë të moshave 7-13 vjeç,  janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën. 7 persona u plagosën në total, përfshi shoferin dhe disa të mitur.