Gjashtë aksidente me 10 të lënduar u shënuan në rrugët e Shqipërisë me 1 janar 2024

Dita e parë e vitit të ri ka shënuar 6 aksidente në Shqipëri me 10 persona të lënduar.

I pari aksident i regjistruar ndodhi gjatë mëngjesit në aksin nacional Pogradec- Qafë Thanë, 3 makina u përplasën. 6 persona mbetën të lënduar dhe u nisën drejt spitalit. Fatmirësisht asnjë prej tyre nuk mori lëndime serioze.

Po në rrugën Pogradec- Qafë Thanë, në afërsi të fshatit Buqezë, ndodhi një tjetër aksident ku u përplasën dy makina.

Më tutje në Lezhë, tek vendi i njohur si kryqëzimi i Gjadrit, u përplasën 2 makina ku për pasojë mbetën të lënduara dy gra. Këto të fundit u dërguan në spital. Një tjetër aksident ndodhi në Lezhë në kryqëzimin e “Urës së Cenit” gjatë orëve të pasdites. Dy automjete u përplasën kokë më kokë. Një prej drejtuesve të makinave u dërgua për ndihmë mjekësore në spital, ndërsa prej aksidentit u bllokua për disa minuta qarkullimi rrugor.

Në Tiranë ndërkohë, në orët e mbrëmjes, një aksident ndodhi në kryqëzimin e “Rrugës së Elbasanit”. Një i ri nën efektin e lëndëve narkotike, humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me barrierat anësore si dhe me një makinë.

Aksidenti i gjashtë për ditën e parë të këtij viti të ri, ndodhi në rrugën Orikum-Vlorë, atje ku një 22 vjeçari humbi kontrollin e makinës dhe doli nga rruga. Për pasojë u lëndua një pasagjer 20 vjeçar, i cili u nis për ndihmë mjekësore në spitalin e qytetit bregdetar.