SHBA, Nju Jork: Oficeri vret të shoqen shqiptare dhe dy fëmijët e mitur…më pas i merr jetën dhe vetes

Komuniteti i kontesë së Rockland në Nju Jork të SHBA-ve është tronditur nga një tragjedi e rëndë, ku nga dora e një babai erdhi vrasja e një gruaje dhe dy fëmijëve të vegjël të çiftit.

Oficeri Uatson Morgan, 49 vjeçar, qëlloi për vdekje me armë të shoqen 43 vjeçare, një grua me origjinë shqiptare e quajtur Ornela (Rori) Morgan. Më tutje sergjenti Morgan e ka drejtuar armën ndaj fëmijëve të tij të mitur, dy djemve në moshat 10 e 12 vjeç. Në përfundim të masakrës, 49 vjeçari ia ka drejtuar mandej armën vetes dhe është vetëvrarë.

Ngjarja tragjike u zbulua nga një ekip i policisë të cilët u nisën për në shtëpinë e oficerit për të verifikuar nëse ai ishte mirë me shëndet, kjo për faktin se ky i fundit nuk kishte ardhur në punë gjatë turnit të dytë.

Ngjarja ka tronditur komunitetin e fqinjët në atë zonë, pasi shumë prej tyre tregonin se ata dukeshin si familja perfekte.

Në ambientet e jashtmë të shtëpisë janë vendosur një sërë fotosh në kujtim të të ndjerëve, në veçanti të Ornelës me dy djemtë e saj të mitur.

Media vendase shkruan se Liami 10 vjeçar ishte në klasën e pestë, ndërsa Gabrieli 12 vjeçar në të shtatën. E marta do të kishte qenë dita e tyre e parë në shkollë pas pushimeve.