Itali: Baba i tre fëmijëve, ndërron jetë në aksident tragjik shqiptari 38 vjeçar

Një foto, disa qirinj të ndezur dhe një heshtje e madhe që thyhej vetëm nga ngashërimat e lotët. Kështu e kujtuanfamiljarët, miqtë dhe i gjithë komuniteti shqiptar në Cremona, 38 vjeçarin Erion Bali.

I riu humbi jetën mëngjesin e të martës në një aksident tragjik me makinë. 38 vjeçari sapo kishte përfunduar pastrimet në restorantin e tij. Rrugës për në shtëpi, Eroni humbi kontrollin e makinës dhe përfundoi duke u përplasur ashpër me një prej barrierave. Media italiane shkruan se 38 vjeçari humbi jetën në vendin e ngjarjes, në via Mantova.

Erioni ishte baba i tre fëmijëve. Djali më i vogël ende foshnje, vetëm disa muajsh. 38 vjeçari sapo kishte hapur biznesin me një ortak, sipërmarrje për të cilën ai ishte shumë i lumtur dhe krenar.

Në Cremona jetonte prej 20 vitesh. Tejet prekëse fjalët e Ervisit, vëllait të të ndjerit, i cili tregoi se për herë të fundit me të vëllanë kishte folur të hënën.

“U dëgjuam në telefon mëngjesin e 1 janarit, shkëmbyem urimet për vitin e ri. Ishim shumë të lidhur, ashtu siç të gjithë ne të komunitetit shqiptar jemi këtu. Erioni ishte një vëlla për të gjithë”-tha Ervisi.