Europa përfshihet nga moti ekstrem, në Suedi termometri minus 43.6C, në Angli e Francë përmbytje

Pjesë të ndryshme të Europës janë përfshirë nga moti ekstrem në këto ditë të para të vitit 2024. Veçanërisht në shtetet skandinave, ku temperaturat e ftohta kanë thyer rekorde. Të martën në zonën veriore të Suedisë termometri shënoi minus 43.6 gradë celsius, duke thyer një rekord 25 vjeçar atje për temperaturën e ulët.

Së fundmi, po në Suedi, në autostradën E22, më shumë se një mijë makina mbetën të bllokuara si pasojë e të ftohtit dhe reshjeve të dendura të dëborës. Autoritetet u detyruan të sjellin ushtrinë për të bërë të mundur shpëtimin e shumë njerëzve që kishin mbetur të bllokuar në makinë prej afro 1 dite, pa ushqim apo ujë.

Në Finlandë u regjistruan një vdekje e dyfishtë dhe tragjike si pasojë e një orteku. Një nënë së bashku me fëmijën e saj u gjetën të pajetë nën dëborë, në zonën e  Pyhäkuru.

Temperaturat ne Finlande

Në Danimarkë shumë persona që udhëtonin me motorë kanë mbetur të bllokuar nëpër rrugë, duke bërë që autoritetet kërkojnë kujdes maksimal nga drejtuesit e mjeteve motorike.

Njëlloj dhe në Rusi, ku valët e të ftohtit siberian kanë prekur vendin e ulur temperaturat deri në minus 30 gradë celsius.

Ndryshe paraqitet situata në perëndim të Europës, ku vende si Anglia, Franca apo Holanda kanë përjetuar stuhi me reshje të dendura e përmbytje të shumta. Në Britani një shofer humbi jetën si pasojë e rënies së një peme në zonën e Kemble. Prej ditësh tashmë Anglia është prekur nga stuhia e quajtur ‘Henk’, e cila ka sjellë reshje e përmbytje edhe në Irlandë e Holandë.

Në Francë ndërkohë, ekipet e shpëtimit evakuuan disa banoë në rajonin verior Pad Kal, pasi lumenjtë atje dolën nga shtrati dhe përmbytën rrugë e banesa. Shërbimi meteorologjik ka paralajmëruar se zona atje do të jetë në rrezik serioz për përmbytje deri më 5 janar.