Video/ Bëri homazhe në Prekaz, politikani serb rrihet brutalisht dhe më pas dërgohet në burg

Të mërkurën në profilin e tij në rrjetin social kryetari i Partisë Konservatore në Serbi Nikola Sandulovic, postoi momentet kur bëri homazhe në Prekaz, në një akt të kërkim-faljes ndaj krimeve e gjenocidit serb ndaj kosovarëve.

Por një akt i tillë ka sjellë reagimin e ashpër të autoriteteve nën drejtimin e qeverisë Vuçiç, konkretisht të BIA-s serbe. Sanduloviç është arrestuar dhe më pas rrahur brutalisht. Ky është pretendimi i familjes së politikanit, i cili është filmuar në gjendje të rëndë shëndetësore teksa dilte nga spitali për të shkuar në banesë.

“Këtu keni fotografi të Nikolës pasi doli sot nga VMA-ja dhe u kthye në shtëpi. Shkak i rrëmbimit dhe përdorimit të forcës brutale nga policia sekrete serbe – BIA në fakt ka qenë videoja e publikuar nga Nikola S. e vendosjes së luleve në memorialin e familjes së vrarë dhe masakruar Jashari në Prekaz gjatë vitit 1998, të cilën edhe ia kanë treguar gjatë rrahjes me pistoleta, grushta, shqelma e goditje me këmbë, në kokë, në godinën e BIA-s”, ka thënë bashkëshortja Bojana Sandulovic.

Bashkëshortja e politikanit më tutje ka shtuar se i shoqi ka mundur të njohë njërin nga personat e maskuar që kanë ushtruar dhunë ndaj tij. Personi në fjalë është Milan Radoiçiç, i njohur si njeriu që organizoi sulmit terrorist në Basnjkë të Kosovës.

Veç pretendimeve të bashkëshortes së politikanit serb, vajza e këtij të fundit thotë se ka dyshime se i ati mund të jetë helmuar me ndonjë agjent nervor. Kjo për faktin se sipas familjarëve, Nikola Sanduloviç ka pësuar një paralizë të anës së djathtë të trupit e gjymtyrëve.

Veç bastisjes së shtëpisë mbrëmjen e djeshme, prokurori ka kërkuar që Sanduloviç të dërgohet në paraburgim për 48 orë. Pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore, politikani pritet të dërgohet në burg.

Avokati i tij mbrojtës  Çedomir Stojkoviç deklaroi më herë se jeta e politikanit është në rrezik, ndërsa akuza ndaj tij qesharake.

 “Ata po e largojnë sepse Nikola vendosi lule në varret e shqiptarëve. Është akuzë zyrtare dhe formale ndaj tij. Më lejoni të përsëris, akuza zyrtare ndaj tij është se ka përhapur urrejtje ndaj serbëve duke vendosur lule në varret e shqiptarëve, duke kërkuar falje nga shqiptarët për krimet e kryera”, ka shkruar ai në plaformën X.

“Këtu mund ta shihni vendimin/urdhrin e Prokurorit të Lartë Publik të Nishit për arrestimin e N. Sanduloviqit për: “Në rrjetin social X ka postuar se ka vendosur lule mbi varret e shqiptarëve në Kosovë””, ka shkruar Stojkovic.

Stojokovic ka thënë se kështu ndodh vetëm në Bjellorusi.