Profili fals e denigrues e ‘përndiqte’ prej mëse 1 viti, detajet e vetëflijimit të nënës së 4 fëmijëve

Një profil fals që e ka ‘përndjekur’ për mëse një vit me përmbajtje fyese dhe denigruese, është bërë shkas i vetëflijimit të një 41 vjeçareje nga Durrësi, nënë e 4 fëmijëve.

E ndjera ka konsumuar lëndë helmuese fostoksinë më 2 janar dhe ka ndërruar jetë një ditë më vonë në spitalin e kryeqytetit. Ka qenë i shoqi i cili e ka gjetur të ndjerën në tokë dhe menjëherë i është drejtuar spitalit. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, gruaja nuk ka mundur të mbijetojë.

Për rastin e rëndë ka reaguar dhe policia, e cila njoftoi se që më dhjetor të vitit 2022, është bërë një denoncim mbi rastin nga ana e 41 vjeçares e cila kërkonte mbylljen e profilit fals që e denigronte.

Të afërmit bëjnë përgjegjëse një familjare të 41 vjeçares (vajza e tezes), e cila duket se ka patur një konflikt me të ndjerën. Konflikti është bërë shkas që e afërmja të hapë profil fals me qëllim denigrimin e 41 vjeçares.

Nga sa tregojnë familjarët, policia ka qenë në dijeni të rastit dhe dyshimeve për familjaren e të ndjerës. Autoritetet vijojnë hetimin pasi mbetet ende e paqartë se çfarë mund të ketë ndodhur kohët e fundit, pra ditët para vendimit të gruas për t’i dhënë fund jetës.

Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës

Në lidhje me një lajm të publikuar në media, për një shtetase që ka humbur jetën pasi dyshohet se ka konsumuar fotoksinë, për shkak të bullizmit, ju sqarojmë se:

Më datë 02.01.2024, në orën 16:30, jemi njoftuar nga shërbimet e spitalit se shtetasja B.L, 41 vjeçe, që dyshohej se kishte konsumuar lëndë helmuese fotoksinë, edhe pse kishte marrë ndihmë mjekësore, nuk kishte mundur të jetonte.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka kryer të gjitha veprimet me grup hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, dhe materialet janë referuar në Prokurori.

Sqarojmë se në dhjetor të vitit 2022, shtetasja B.L. ka bërë kallëzim se në rrjetet sociale ishte hapur një adresë false me emrin e saj.

Për kallzimin e bërë ne dhjetor 2022, Policia ka kryer të gjitha veprimet dhe i ka referuar materialet në Prokurori dhe çështja është në hetim në Prokurori. Pas këtij kallëzimi nuk ka patur asnjë kallëzim apo shqetësim nga shtetasja B.L, për këtë rast.

Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Ndërkohë që vijojnë hetimet intensive për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që kanë keqpërdorur të dhënat e shtetases B.L.