Policia ndalon një 17 vjeçare në Gjirokastër… shiste në konvikt lëndë narkotike për gjimnazistët

Një rast i pazakontë ka ndodhur në Gjirokastër, atje ku policia ka vënë në pranga një vajzë në moshën 17 vjeçare, e cila akuzohet për shpërndarjen e lëndëve narkotike. 17 vjeçarja është arrestuar në flagrancë me një sasi kanabisi në trajtë çokollate, e cila u shitej gjimnazistëve në shkollën ku ajo ishte nxënëse.

“…specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit Operacional të DVP Gjirokastër dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, goditën një tjetër rast në këtë fushë, për të cilin u arrestua në flagrancë një 17-vjeçare.

Shërbimet e Policisë kryen kontrolle në ambientet e konviktit ku ishte akomoduar 17-vjeçarja, ku gjetën një sasi lënde narkotike cannabis sativa në trajtë çokollate, që posedohej nga kjo shtetase me qëllim shitjen në ambientet e konviktit dhe në ato të gjimnazit ku ishte nxënëse. Në vijim, lënda narkotike u sekuestrua nga shërbimet, në cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 celularë.”-njoftuan autoritetet.