Braktisi të birin 9 vjeçar në Francë, arrestohet 50 vjeçari nga Vlora

Është një fenomen i heshtur e pak i qëmtuar nga autoritetet, por sërish një fenomen shqetësues që herë pas here raportohet. Fjala është për braktisjen e fëmijëve apo të të miturve nga vetë prindërit e tyre në shtetet e Bashkimit Evropian.

Të mërkurën policia ka njoftuar për rastin e një 50 vjeçari, banues në Vlorë, i cili rezulton se ka braktisur fëmijën e tij 9 vjeçar në Francë, me qëllim që të merrte statusin e azilantit.

“… është evidentuar një rast i braktisjes së fëmijëve të mitur, në vendet e BE-së, me qëllim për të kërkuar azil. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin H. F., 50 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.

Ky shtetas, më datë 22.01.2020, ka kaluar kufirin në PKK Muriqan, bashkë me djalin e tij të mitur, me autorizimin përkatës nga nëna e djalit, dhe më datë 09.01.2023, është kthyer në Shqipëri, pa djalin e tyre. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas e ka braktisur djalin e tij 9 vjeç, në Francë, me qëllim azilkërkimin.”-njoftuan autoritetet.